Discussion:
Borovarja bukuroshe Gruaja qe besonte te dashuria e mbuluar me stoli e fu...
m***@aol.com
2008-05-02 11:07:14 UTC
Permalink
Borovarja bukuroshe*: Gruaja që besonte te dashuria e mbuluar me stoli,dhe që
ende shfaqet e veshur me fustan të bardhë VEPROR HASANI 02/05/2008
Historia e varrit të shekullit të VI p. e. s, i zbuluar në fillim të viteve ’80, në
fshatin Borovë të Kolonjës

Atë çast askush prej tyre nuk e dinte se kishin qenë duke gërmuar shumë pranë
me varrin e Borovares, gruas që besonte te dashuria, te qielli dhe toka, te
ajri dhe uji, te dielli dhe hëna, te yjet dhe xixëllonjat, te jeta dhe vdekja.
Madje ata nuk e dinin fare, nëse kishte ekzistuar një grua e tillë ose jo.

Thjesht mendonin që në këtë vend mund të kishin jetuar edhe njerëz të tjerë,
madje para se të vinte Krishti dhe Muhameti.

Gërmimet e borovarëve

Fshatarët e Borovës të rrethit Kolonjë, 6 kilometra larg nga qyteti i
Ersekës, ishin duke hapur një kanal ku do të kalonte uji për vaditje. Ishte mëngjes
dhe frynte një erë e lehtë, por çuditërisht ata dukeshin të lodhur, njësoj
sikur të ndodheshin në një ceremoni mortore. Më i moshuari kishte ndezur një
cigare, të cilën e mbante në buzë edhe kur punonte.

“Ky vend se si më duket, tha ai, më ngjan se bie erë varrezash të vjetra”.

Ndoshta ishte dekompozimi i eshtrave mijëravjeçare që mund të gjendeshin aty.

Të tjerët nuk patën ndonjë gjë për të thënë. Ndoshta më i moshuari e kishte
nga lodhja.

Jo shumë larg nga ata, një bari me një tufë dhënësh përpara, këndonte për
qejf të vet, “Kur kaloje në ato varre,/ me fustanin zvarrë-zvarrë,Jo shumë larg
nga ata, një bari me një tufë dhënësh përpar

Kënga përhapej si një drithërimë. Cila mund të kishte qenë vallë kjo grua që
ngjallte të vdekurit dhe vdiste të gjallët? Thua se kishte qenë hyjnesha e
Bukurisë dhe Dashurisë njerëzore. Fshatarët e Borovës vazhdonin të punonin, ende
pa e ditur se tashmë po gjendeshin më pranë një varreze të vjetër, këtu e 6
shekuj para erës sonë. Këtë nuk e dinte askush prej tyre, madje as bariu që
tashmë po sillte vargjet e një kënge tjetër, “Do të vij të hap varrë,/ që të shoh
se ç’nur ke marrë,/ nur të kuq a nur të bardhë”.

Dashuria e atij që e kishte kënduar për herë të parë këtë këngë, vijonte të
ishte e njëjtë ashtu si dikur, kur ajo grua kishte qenë e gjallë.

“S’po na ndahet as bariu me këto këngët e tij”, tha më i moshuari, por edhe
kësaj radhe askush nuk ia vuri veshin.

Ishin të bindur se plaku do të kishte nga lodhja. Për më shumë, më i moshuari
njihej si kulaku i fshatit dhe fjalët me varre mund të kishin edhe kuptime të
tjera. E mira ishte që në raste të tilla të mos flisje fare.

Zbulimi i varrit

Pikërisht në çastin kur fshatarët e Borovës vendosën të linin punën e të
drekonin me atë çka kishin marrë me vete, e cila nuk ishte gjë tjetër veçse një
shishe ujë dhe një lugë sheqer, njëri prej fshatarëve ngriti zërin dhe tha, “
Shikoni, diçka po duket poshtë dheut, se ç’është një send i çuditshëm!”.

Të gjithë borovarët vështruan tek gropa e hapur.

“Ndoshta mund të ishte ndonjë qyp me florinj”. “Ndoshta”, mendonin ata.

Nisën të gërmonin të gjithë rreth sendit që sapo kishte filluar të dukej.
Ishte vërtet një enë prej balte. Kur e nxorën panë se brenda saj nuk kishte
asgjë. Pastaj gërmuan më tutje. Gjetën një gjerdan të bukur me rruaza të vogla e të
mëdha, të kombinuara mjeshtërisht në renditjen e tyre. Ishin që të gjitha të
ndryshme që nga brumi prej qelqi e deri te kocka, briri, bronzi, ku mes tyre
qëndronte një rruazë tjetër, po kaq befasuese për nga forma e prerja e saj.

Dukej qartë se te ato duar që kishin krijuar këto rruaza duhej të kishte
patur shumë dashuri. Te renditja e tyre ndihej ecuria e jetës, ngrohtësia
njerëzore, dhimbja dhe gëzimi, era që vinte nga kodrat e qytetit, pëshpërima e ujit të
përroit që rridhte aty poshtë, zëri i fëmijës që sapo kishte ardhur në jetë,
por mbi të gjitha të krijohej përshtypja se ai gjerdan ishte një përqafim i
përhershëm i njeriut për njeriun, i burrit për gruan, i nënës për fëmijën, i
motrës për vëllanë, i mikut për mikun.

“Shumë i bukur, tha më i moshuari, gjerdan të tillë nuk kam parë kurrë”.

Ky gjerdan, shtoi ai, duhet të ketë qenë gjerdani i gruas më të bukur të
Borovës.

“Borovarja”, pëshpëriti një tjetër.

Atë çast u munduan t’i gjenin një emër, por “Borovarja” dukej sikur
tingëllonte më mirë nga të gjitha emrat që ishin dëgjuar deri atë ditë.

Këtu do të jetë varri i saj. Për këtë gjë pothuajse të gjithë ishin të një
mendje.

Arkeologët mes legjendës

Tashmë me aq sa u kujtohet borovarëve, duhet të ketë qenë fillim prilli i
vitit 1980, kur një grup arkeologësh u ndalën aty ku ishte gjetur ena prej balte
dhe gjerdani që mbartte të gjitha mrekullitë hyjnore.

Përsëri frynte një erë e lehtë që vinte nga kodrat, ndërsa bariu me një tufë
dhensh përpara, këndonte një këngë tjetër po aq të vjetër, “Seç këndon një
zog,/ përtej në korie,/ meraku që kam,/ nga mendja s’më hiqet/. Seç këndon një
zog,/ përtej në ato ahe,/ meraku që kam,/ nga zemra s’më ndahet
”

A thua se këngë të tilla i ishin kënduar edhe Borovares? Arkeologët bënin
lëvizje të çuditshme, matnin, fotografonin, hidhnin skicime në letër, përcaktonin
pikat e horizontit, ndërsa dëgjonin këngën e bariut.

Varreza gjendej mbi një kodër, e cila ndodhet në një nga lagjet e fshatit. Jo
shumë larg saj, dukeshin gjurmët e një vendbanimi të hapur, të cilat i
përkisnin epokës së hekurit.

Te vendi i quajtur “Çuka e Borovës” dalloheshin gjurmët e një kalaje të
vjetër ilire. Pikërisht në këtë vend kishte jetuar Borovarja, por deri atë çast
arkeologët nuk kishin folur për asgjë të tillë.

Lajmi për mbërritjen e arkeologëve tashmë ishte përhapur në të gjithë
Kolonjën. Flitej për varrin e një gruaje.

Nga banorët vendas dhe fshatrave përreth kishin nisur të thureshin histori të
ndryshme.

Më pleqtë tregonin se aty mbi kodër, netëve të vona, shfaqej një grua e
veshur e tëra në të bardha. Thuhej se ajo ishte e veshur nga stoli të shumta, të
cilat i vezullonin nën dritën e hënës. Nga më të vjetërit ishte thënë gjithashtu
se nëse e takoje atë grua, pas kësaj do të kishe shumë fat në dashuri.

Djemtë dhe vajzat rrinin deri vonë për të parë atë grua që shfaqej rrallë dhe
dhuronte miqësi.

Nëse takoje gruan e veshur me të bardha, të largonte shpirtin e keq, nëse
kishe qenë i pleksur me të. Borovarja kishte qenë gjithnjë një shenjë e mirë për
Borovën.

Shumë borovarë mendonin se ajo shfaqej sa herë nuk i rezistonte dot mallit
për vendlindjen e saj. Bashkë me këto histori përziheshin edhe këngët e bariut, “
Djersa jote e gushës,/ borzilok i fushës,/ djersa jote e gjirit,/ erë e
trëndafilit
”.

Borovarja me të bardha

Varri i Borovares kishte qenë tepër i thjeshtë. Trupi i saj ishte vendosur
drejt e mbi tabanin e tokës. Kokën e kishte të vendosur anash, ndërsa duart e
saj qëndronin të shtrira poshtë. Të jepte përshtypjen se ishte nën një gjumë
engjëllor.

Trupi i saj po zbulohej ngadalë, shumë ngadalë.

Arkeologët përpiqeshin të mos dëmtonin asgjë. Borovarët prisnin të merrnin
vesh se çfarë do të gjendej në varrin e kësaj gruaje. Shumë kush mendonte se aty
do të gjendej edhe velloja e bardhë, më të cilën gruaja dilte në orët e vona
të natës për të parë Borovën dhe shuar mallin.

Kureshtar ishte bërë edhe bariu i fshatit, i cili tashmë rreshtonte vargjet e
këngës, “Te gorrica bufkë,/ po ta bëjnë varrë,/ pleqtë po punojnë,/ beqarët
po qajnë ”.

Pas një çasti të gjithë qëndruan të heshtur. Dikush nga banorët e fshatit
Borovë kishte thënë se duke filluar që nga kjo ditë, gruaja e veshur e tëra me të
bardha nuk do të dilte më në fshatin e tyre. Djemtë dhe vajzat nuk do ta
prisnin më nën dritën e hënës që t’i kërkonin fat dhe dashuri. Ajo nuk do të dukej
më. Një mendim i tillë duket se i trishtoi borovarët.

Për Borovën ajo kishte qenë fat e mirësi. Ajo përzinte nga fshati shpirtrat e
këqij.

Arkeologët që duket se nuk mendonin kështu vazhdonin të merreshin me zbulimin
e saj, por edhe lëvizjet e duarve të tyre ishin tepër të kujdesshëm,
shprehnin një dashuri të dukshme.

Stolitë e borovares

Kur trupi i borovares kishte nisur të bëhej qartësisht i dukshëm u gjetën dy
vathë prej bronzi, me varëse konike. Çdo njeri prej vathëve ishte gjetur në të
dy anët e kokës së saj. Pastaj u gjet edhe një vath tjetër prej teli bronzi,
varësja konike e të cilit formohej nga mbështjellja spirale e telit.

Gjithkush ishte kureshtar t’i shihte. A thua se ata vathë ajo i kishte
mbajtur edhe atëherë kur shfaqej netëve të vona.

“Do ketë stoli të tjera?”, pyeti dikush.

Arkeologët ngritën supet.

“Të shohim”, dukej sikur thoshin lëvizjet e tyre.

Në të vërtetë borovarët e përfytyronin Borovaren e tyre me shumë stoli. Ishte
e vështirë të thuhej se nga vinte ky përfytyrim i tyre. Duart e arkeologëve
po zbrisnin më poshtë, drejt supeve të saj, ku u gjetën dy fibula kocke në
formën e një pllake gjyslykore, me motivin e numrit “8” midis disqeve, e
zbukuruar me rrathë bashkëqendrorë të incizuar. Që të dy fibulat qëndronin pranë dy
supeve të saj.

Pastaj arkeologët zbritën edhe pak më poshtë, te gjoksi i gruas. Krejt
ngadalë, nisën të shfaqen 12 gjilpëra me kokë bronzi në formë ombrelle, me qafë të
shkurtër, në formë tubi, për t’u futur trupi i gjilpërës prej hekuri. Që të
gjitha gjilpërat qëndronin në rresht njëra pas tjetrës mbi gjoksin e saj, ashtu
siç i kishte mbajtur që ditën e parë kur kishte përfunduar së thururi jelekun e
saj.

Sërish u gjetën edhe dy gjilpëra të tjera, pastaj edhe një gjilpërë tjetër
prej bronzi, koka e së cilës formohej nga mbështjellja e telit në njërin krah,
në formën e dy disqeve me katër spira secili, ndërsa skaji tjetër formonte
trupin e gjilpërës.

“Po a kishte stoli të tjera kjo grua”?

Kjo pyetje dukej sikur rrinte varur mbi borovarët që përgjonin çdo lëvizje të
arkeologëve.

Koha kalonte, por arkeologët nuk ishin aspak të nxituar. Ishin krejtësisht të
ngadaltë, njësoj sikur të kishin frikë mos Borovarja zgjohej nga gjumi dhe
pyeste, “Ç’po ndodh kështu me mua”?

As bariu nuk po dëgjohej më me këngët e tij. Thua se të gjithë kishin
qëndruar në heshtje.

Gjerdani i stolive

Fillimisht u gjetën 23 rruaza kocke, dykonike, të tejshpuara, pastaj u gjetën
edhe 23 të tjera, por kësaj radhe prej qelibari.

Gjerdani i saj nuk mbaronte me kaq. U gjetën edhe 18 rruaza brumëqelqi,
sferike dhe trekëndore, të zbukuruara me pastë të bardhë, me teknikën e
inkrustimit. Ato kishin përmasa të vogla dhe mesatare. Pranë tyre u gjet e shkëputur edhe
një rruazë bronzi me trup dykonik të rrumbullakuar dhe buzë të profiluara.
Mbi gjoksin e saj, aty ku duhej të kishte qenë gjerdani i saj u gjetën edhe 2
copë rruaza briri cilindrike, të tejshpuara edhe ato.

Që të gjitha këto krijonin një gjerdan mjaft të bukur, befasues ku gjithçka
kishte qenë e vendosur me saktësi dhe e kombinuar mirë. Pak më vonë u gjetën
edhe 14 copë rrathë prej teli bronzi, me prerje rrethore, nga të cilët 11 ishin
me skaje të afruara, të futura brenda njëra-tjetrës, si dhe tre rrathë të
tjerë me dy spira që siç thanë arkeologët edhe këto krijonin një gjerdan. U gjetën
edhe 3 rrathë bronzi, nga të cilët 2 copë prej flete të ngushtë, me skaje të
afruar, të zbukuruar me dy vija të thelluara paralele në të gjithë gjatësinë e
fletës.

Te gishtat e saj u gjet një rreth gishti bronzi, me prerje rrethorë, ndërsa
tek beli një brez hekuri prej flete, skajet e të cilit shndërroheshin në tel,
me prerje rrethore që përfundonin në spirale, të cilat shërbenin si tokëza për
mbërthim.

Brezi vazhdonte të qëndronte në belin e saj.

Gjetja e stolive

Arkeologët që deri atë çast kishin parë me kërshëri stolitë e gjetura, nisën
përsëri nga puna. U gjetën 23 copë byzylykë bronzi prej teli me prerje
rrethore, nga të cilat 20 ishin me skaje kubike të mbi vëna, por pak më vonë u gjetën
edhe 2 byzylyk të tjerë. Byzylykët kishin qenë të vendosur nga 6 copë për çdo
krah dhe parakrah dhe nga 6 copë tek secila këmbë e saj.

Gruaja e Borovës kishte qenë e mbuluar në stoli.

Çuditërisht atë çast u dëgjua kënga e bariut, “25 gërsheta t’i numërova pa
fjeta
”.

Ndoshta atë çast edhe njerëzit që gjendeshin aty ishin duke menduar se si
mund t’i kishte patur flokët kjo grua, por nëse do t’i pyesje, që të gjithë do
të thoshin se ajo kishte pasur gërsheta të gjata që i shkonin deri në fund të
këmbëve.

Ata do të thoshin se djemtë çmendeshin pas saj. Ata do të thoshin se ajo
kishte qenë një ëndërr, një magji, një shpirt, një mirësi që kishte zbritur nga
qiejt.

Së fundi, në varrin e saj u gjetën dhe disa enë balte dhe bronzi, të
vendosura pranë trupit të saj.

Borovarët ndiheshin të kënaqur që një paraardhësja e tyre kishte qenë kaq e
zbukuruar, ndërsa u vinte keq për gratë e tyre që edhe pse jetonin në shekullin
e XX ato kishin vetëm nga një unazë bronzi.

* Inventari i stolive është marrë nga libri i prof. as. doc. Skënder Aliu, “
Varreza e Borrovës”, ku flitet për varrin nr. 2

Sa shumë flitet për gruan që besonte te dashuria

Rishfaqja e borovares në ditë dasmash

Për atë grua u fol shumë kohë në fshatin Borovë. Që nga ajo ditë ata nisën të
quanin si gruan e dashurisë dhe të lumturisë njerëzore.

Po, ajo duhej të kishte qenë vërtet e lumtur.

Te varret e tjera u gjetën edhe stoli prej argjendi, por numrin e stolive të
saj nuk e kishte asnjë grua.

Tek ajo gjithçka kishte qenë e thjeshtë dhe e përkryer. Megjithatë, borovarët
kishin filluar të përjetonin frikën se atë grua nuk do ta shihnin më kurrë.

Ajo nuk do të shfaqej papritur, nën dritën e hënës, e veshur e tëra me të
bardha për të parë vendlindjen e saj e për të shuar mallin.

Bariu kishte nisur të këndonte këngën, “Se ç’këndon një zog,/ përtej në
korie,/ meraku që kam,/ nga zemra s’më hiqet”.

Këto vargje dukej sikur këndoheshin nga të gjithë borovarët. Që të gjithë e
kishin një merak për shfaqjen e saj ose jo.

Por ndërsa kishte kaluar mjaft kohë thonë se ajo u shfaq përsëri. Thonë që
ajo natë nuk kishte qenë si të tjerat.

Në fshatin e Borovës bëhej dasmë. Pikërisht kur ishte ngritur dollia e
çiftit, ajo ishte shfaqur aty e veshur e tëra në të bardha.

Thonë që ajo kishte uruar të gjithë dasmorët “çifti të trashëgohet” pastaj
ishte larguar, por me siguri për t’u shfaqur sërish një ditë Vepror Hasani



**************Wondering what's for Dinner Tonight? Get new twists on family
favorites at AOL Food.
(http://food.aol.com/dinner-tonight?NCID=aolfod00030000000001)

Loading...